BE, 1.5 mln euro për mbrojtjen nga zjarret e përmbytjet, investime në 5 bashki
Bashkimi Europian financon me 1.5 milionë euro masa parandaluese dhe investime konkrete për përballimin e zjarreve dhe përmbytjeve në disa nga zonat më të rrezikuara të vendit.
Shqipëria po përballet gjithnjë e më shpesh me fatkeqësi natyrore, veçanërisht zjarre dhe përmbytje, duke rritur nevojën për masa parandaluese dhe ndërhyrje të strukturuara. Në këtë kuadër, përmes projektit SA Resilience, të financuar nga Bashkimi Europian nëpërmjet programit Interreg IPA South Adriatic 2021–2027, Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile po zbaton një paketë ndërhyrjesh strategjike për forcimin e kapaciteteve të reagimit dhe parandalimit.
Investimi prej 1.5 milionë eurosh, i akorduar drejtpërdrejt për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, synon mbështetjen e pesë bashkive që preken rregullisht nga këto fenomene natyrore: Malësi e Madhe, Pukë, Divjakë, Rrogozhinë dhe Kavajë. Në fazën aktuale janë zhvilluar takime koordinuese me autoritetet vendore për vlerësimin e situatës së riskut dhe përmirësimin e mekanizmave të paralajmërimit dhe reagimit të hershëm.
Fokus te parandalimi dhe koordinimi institucional
Përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore kanë theksuar se përmbytjet dhe zjarret mbeten fenomenet më të shpeshta, ndërsa jo çdo situatë është e parashikueshme. Megjithatë, sipas tyre, kjo nuk e përjashton nevojën për masa parandaluese edhe në zona me risk historikisht më të ulët, duke nënvizuar se koordinimi ndërinstitucional mbetet një nga sfidat kryesore.
Gjatë diskutimeve mbi ecurinë e projektit janë ndarë edhe të dhëna dhe eksperienca konkrete nga viti 2025, ku është vënë në dukje nevoja për investime teknologjike dhe trajnime të specializuara për strukturat vendore të emergjencave.
Investime në pajisje moderne dhe ndërhyrje nga ajri e toka
Për vitin e ardhshëm, projekti parashikon investime konkrete në pajisje moderne që do të rrisin ndjeshëm kapacitetet operacionale. Këto përfshijnë përdorimin e dronëve për detektimin dhe shuarjen e zjarreve nga ajri, varka për ndërhyrje në rastet e përmbytjeve, veshje profesionale për zhytje dhe operacione kundër zjarrit, si edhe motorë specialë për ndërhyrje në zona të thella malore ku aksesi është i vështirë.
Komponent edukativ dhe ndërgjegjësim publik
Përveç investimeve infrastrukturore, projekti SA Resilience ka edhe një komponent të rëndësishëm social dhe edukativ. Deri më tani janë zhvilluar fushata ndërgjegjësuese në katër shkolla të bashkive përfituese, me fokus edukimin e fëmijëve mbi reagimin e duhur në raste emergjencash, duke synuar ndërtimin e një kulture sigurie dhe parandalimi në afat të gjatë.